Ernest Muçi po shkëlqen që në ndeshjet e tij të para me Beshiktashin.

Por trajneri i klubit turk, Fernando Santos, është i bindur se futbollisti ofensiv shqiptar ka mundësi shumë të mëdha përmirësimi për t’u kthyer në një lojtar të klasit botëror.

Për këtë arsye, trajneri i cili insistoi vetë që Muçi të transferohej në Turqi, ka zhvilluar një takim me futbollistin në ditët e kaluara.

Sipas mediave turke, në këtë takim, ia ka këshilluar 22-vjecarin që të mos i besojë vetëm talentit të tij dhe teknikës së lartë që padyshim ka, por të përmirësojë edhe fizikun.

Në këtë takim mësohet se ai i ka dhënë shembullin e lojtarëve me të cilët ka punuar më përpara, si Ronaldo dhe Nani.

Ai i ka kujtuar Muçit se këta emra nuk do të kishin bërë karrierë në futbollin e rëndësishëm ashtu siç bënë nëse nuk do të kujdeseshin për përgatitjen fizike.

Kështu, trajneri e ka këshilluar lojtarin që të punësojë një përgatitës atletik personal pasi duhet që të forcojë pjesën e sipërme të trupit.

Bëhet e ditur se Muçi ka pranuar këtë këshillë dhe ka vendosur që të punësojë një specialist të tillë.

Mendohet se ai do e marrë një të tillë nga Shqipëria dhe do e paguajë vetë për të punuar rregullisht me të për të përmirësuar fizikun ashtu siç i kishte kërkuar Fernando Santos.