Bëhet fjalë për Stefanos Kasselakis, një biznesmen 35-vjeçar, shtetas grek me banim në Miami të SHBA-së i cili trazoi gjithë të zhgënjyerit e përkrahësve të të majtëve dhe solli në kutitë e djeshme të votimit 40.000 anëtarë të rinj, të regjistrohen dhe të votojnë.
Më shumë se 148,000 anëtarë të vjetër e të rinj të të majtëve morën pjesë në zgjedhje, çka u interpretua si një sinjal i ri për të fituar optimizmin e humbur, mbështetësit e partisë më të madhe opozitare, që gjithsesi karakterizohet nga rryma dhe grupe të kundërta ideologjike në gjirin e saj.
Kasselakis hyri në garë përmes një fushate të mirëorganizuar në rrjetet sociale dhe ka pritur kritika brenda dhe jashtë partisë, që veçojnë faktin se është diçka “e panjohur” në politikën greke, duke qenë se përvoja e tij e vetme është politika amerikane. Ai ishte vullnetar në stafin e senatorit të atëhershëm Joe Biden për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës.
Por për shumë të tjerë, Kasselakis, që nuk fsheh faktin se i përket komunitetit LGBTQ dhe paraqitet publikisht kudo me partnerin e tij, përfaqëson elementin “i ri” që Syriza moderne i duhet për të qëndruar sërish në këmbë dhe për t’u përballur me partinë konservatore në pushtet Demokracia e Re.
Gjithsesi rezultati i të dielës së ardhshme pritet të përcaktojë, në një masë të madhe, orientimin politik të partisë së majtë, Syriza, që ‘flirton’ për disa vite edhe me partitë socialiste evropiane.