Trajneri i kombëtares çeke, Ivan Hasek ka folur i ftuar në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes kundër Shqipërisë. Çeku ka shprehur faktin se kombëtarja e drejtuar nga ai duhet të vazhdojë në ato “ujra” si ndaj Ukrainës muajin e kaluar, si dhe duhen nxjerrë mësime prej ndeshjeve në të kaluarën me Kombëtaren shqiptare.
“Skuadra e Shqipërisë u kualifikua në europian. Unë sigurisht i kam parë ata me detaje. Atyre u mungojnë disa lojtarë me rëndësi por përsëri mbeten të konsoliduar. Ende nuk kam vendosur për portierin titullar. Do të konsultohem me trajnerin e portierëve në fillim.
Formacionin se kush luan e kush jo do t’a mësoni para ndeshjes. Kemi disa mungesa nga 11-shja e titullarëve kundër Ukrainës, por duam që t’a nisim takimin e nesërm sikurse bëmë me ta. Është një takim shumë i vlefshëm për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Shpresoj të na ndihmojnë tifozat e shumtë në stadium”, tha Hasek.