Liderët evropianë e dinin se Vladimir Putin në Lindje dhe Donald Trump në Perëndim do të ishin një makth strategjik. Megjithatë, ata nuk bënë pothuajse asgjë për të arritur unitet më të madh politik dhe aftësi më të forta mbrojtëse në pritje të këtij rezultati.
Nga Joschka Fischer
Kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA nëntorin e kaluar, elitat evropiane, me sa duket, menduan se Shtetet e Bashkuara do të bëheshin pak më izolacioniste, pak më nacionaliste. Por përndryshe, vazhdimësia do të mbizotëronte. Trump do të kërkonte që Evropa të paguante më shumë për mbrojtjen e saj, por NATO-ja – dhe garancia shumë e rëndësishme e sigurisë amerikane për Evropën – do të mbijetonte.
Sot, pas valës së paraqitjeve të zyrtarëve të lartë amerikanë në samitet e mëdha evropiane, ne e dimë se ky ishte një gabim i madh. Trump nuk dëshiron veçse një shkëputje të plotë me rregullat dhe aleancat që brezat e politikëbërësve amerikanë ndërtuan me mundim dhe sukses në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore. Tani e tutje, Rusia, jo Bashkimi Evropian, do të jetë partneri i ngushtë i Amerikës. Nuk është më solidariteti i demokracive ai që ka rëndësi në Uashington, por marrëveshja e sundimtarëve autokratikë të fuqive globale; forca mbizotëron sërish edhe njëherë mbi ligjin.
Kjo është e qartë në qasjen e Trump ndaj luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë. Trump dëshiron t’i japë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur në bashkëpunim të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin, duke përjashtuar Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë. Ukraina dhe Evropa do të duhet të durojnë shumicën e pasojave politike dhe materiale, por ata nuk do të kenë asnjë rol në negocimin e kushteve.
Pra, ja si duket vizioni i Trump për rendin ndërkombëtar: rikthim në sferat e ndikimit, me fuqitë e mëdha që diktojnë fatet e vendeve më të vogla. Ky është një vizion që kënaq Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping, sepse përputhet në mënyrë të përkryer me autoritarizmin dhe ambiciet e tyre neo-perandorake.
Sigurisht, revizionizmi i Trump e ka vendosur SHBA-në në një rrugë vetëdobësimi apo edhe vetëshkatërrimi, duke filluar me shkatërrimin e Perëndimit. Në fund të fundit, NATO-ja e bëri SHBA-në të fortë dhe kontribuoi me vendosmëri në fitoren e Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Çfarë interesi kombëtar mund të promovojë SHBA-ja duke e vënë Aleancën dhe Ukrainën në këmbët e Putinit?
Asgjë nga këto nuk ka kuptim, por e gjithë kjo ishte e parashikueshme. Liderët evropianë e dinin se kush dhe çfarë do të përftonin me një presidencë të dytë të Trump dhe se Trump kishte seriozisht qëllim ta transformonte demokracinë amerikane në një oligarki dhe të vendoste një rendi të ri, autoritar botëror. Ata e dinin se Putin në Lindje dhe Trump në Perëndim do të ishin një makth strategjik. Megjithatë, ata nuk bënë pothuajse asgjë për të arritur unitet më të madh politik dhe aftësi më të forta mbrojtëse në pritje të këtij rezultati.
Si rezultat, Evropa është krejtësisht e papërgatitur. Përballë ndryshimit historik që Trump duket i vendosur të bëjë, Evropa paraqet një pamje të mjerë, në dukje po aq e pafat dhe histerike sa një kotec pulash hyr në të hyn brenda një dhelpër. Evropianët duhet të pyesin veten se si arritën këtu – dhe çfarë të bëjnë tani që administrata Trump e ka bërë të qartë ekstremizmin e saj. Siguria dhe liria e Evropës janë në rrezik. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se “punët si zakonisht” është një recetë për katastrofë.
Evropa ka paratë, kapacitetin teknologjik dhe njerëzit dhe kompanitë e nevojshme për të siguruar të ardhmen e saj. Por duhet vepruar tani. Shtetet e mëdha dhe të mesme të BE-së duhet të bashkëpunojnë ngushtë. Komisioni Evropian duhet të ripërcaktojë rregullat e borxhit dhe, së bashku me shtetet anëtare – dhe në mënyrë ideale duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegjinë – më në fund të krijojë një ushtri evropiane të gatshme për luftë dhe një industri të përbashkët evropiane të mbrojtjes.
Evropës po i mbaron koha – dhe shpejt, madje. Hezitimi dhe zvarritja i përkisnin të djeshmes. Zgjedhja është e qartë: Brukseli apo Moska, liri apo nënshtrim. Për Evropën, përgjigja mund të jetë vetëm Brukseli, vetëm liria. Në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, zv/presidenti amerikan J.D. Vance ua bëri të qartë evropianëve se sa të pafuqishëm janë dhe se sa të vetëm do të jenë tani e tutje.
Lufta e Putinit në Ukrainë dhe tradhtia e afërt e Trump ndaj Ukrainës tregojnë se sa e rrezikshme është pafuqia evropiane për të gjithë ne. Në të ardhmen, paqja dhe liria në kontinentin evropian do të duhet të bazohen kryesisht në forcën dhe aftësinë tonë parandaluese. Kjo është arsyeja pse Evropa duhet të veprojë menjëherë. Në botën e Trump, nuk ka asnjë zëvendësim për fuqinë e fortë. Evropa nuk duhet t;i kursejë kostot për zhvillimin e saj. Apo mos ndoshta duhet që tanket ruse fillimisht të nisen drejt Rigës dhe Varshavës?