Sulmi me breshëri kallashnikovi ndaj godinës së televizionit Top Channel që i mori jetën rojes së sigurisë Pal Kola ende nuk ka autorë, por një provë AND-je e gjetur në një gëzhojë, të sekuestruar brenda mjetit “Range Rover” mund ta çojë grupin e hetimit drejt zbardhjes së ngjarjes.

E teksa për “kokën” e atyre që zbrazën 26 plumba kallashnikovi duke gdhirë dita e hënë tashmë ka një çmim prej 100 mijë eurosh të vendosur nga policia, gazetarja Dorjana Bezat, ka zbuluar detaje të reja nga sulmi.

Sipas deklaratës së saj në emisionin “Zona Zero” në Top News, makina e autorëve dyshohet se ka pësuar defekt teksa ata po largoheshin.

“Ka dyshime që makina e përdorur nga autorët të ketë pësuar një defekt pas sulmit të kryer në godinën e Top Channel për shkak se ishte braktisur në mes të rrugës. 

Po ashtu, në asnjë ngjarje kriminale Kavaja nuk është përzgjedhur si vendi ku krimineli zgjedh të djegë makinën, pasi zjarrfikësja mbërrin shumë shpejt, ashtu siç dhe mbërriti në këtë rast. 

Pjesa e parme e makinës është pothuajse e paprekur pikërisht sepse zjarri u  shua shpejt. Dhe në këto dyshime, po kontrollohen dhe servilet pasi makina mund të ketë qenë në servis para përdorimit”, deklaroi Bezat.

Ndërkohë sa i përket provës së AND-së që u gjet, ajo do t’i nënshtrohet metodës së krahasimit me 6 oficerë policore që morën pjesë në kqyrjen e vendngjarjes dhe mbas përjashtimit kjo provë do t’i dërgohet Europol me seli në Lion, ku do të krahasohet me provat e  tjera të ADN të arshivuara nga policët europianë.

Një metodë e tillë krahasimi është përdorur për zbardhjen e një krimi të rëndë, sikurse është vrasja e Artan Cukut. Ishte një provë ADN e konstatuar në veshjen e përdorur nga vrasësi që më pas ju shpërnda Europol përmes të cilës u konfirmua se policia e kishte proceduar Mikel SHallarin për ngjarje të mëparshme