Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar në lidhje me sulmet e bëra ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Olsi Dado, pas hetimeve të tij ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u arrestua më 10 shkurt 2025.
KLP ka dënuar sulmet që kanë ardhur në adresë të prokurorit Dado, si nga Veliaj, ashtu edhe nga disa media
KLP thekson se këto sulme, dëmtojnë integritetin e drejtësisë shqiptare dhe ndikojnë negativisht në besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Këshilli bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori të trajtohet në përputhje me ligjin dhe në kuadër të institucioneve përkatëse.
Njoftimi i KLP:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.
KLP bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. KLP rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike të raportimit nga mediat, duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik, për të shmangur çdo formë dezinformimi që mund të ndikojë në integritetin e proceseve gjyqësore. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi. Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor.