Rexhep Taip Erdogan është rizgjedhur për të tretë president i Turqisë, pasi mundi kandidatin e opozitës së bashkuar, Kemal Kiliçdaroglu në raundin e dytë zgjedhjeve.
Pas përfundimit të procesit të numërimit Erdogan fitoi 52,13 për qind të votave, përballë 47,87 për qind që mori kundërshtari i tij Kemal Kiliçdaroglu.
Në këtë raund të dytë u regjistruan 64.1 milionë njerëz për të votuar, duke përfshirë këtu dhe mbi 1.92 milionë të cilët votuan në qendrat e votimit jashtë shtetit.
Ky ishte raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi, pasi raundi i parë shkoi në balotazh duke qenë se asnjë nga kandidatët nuk mori mbi 50 për qind të votave, të nevojshme për tu ngjitur në krye të shtetit.
Vlen të përmendet se këto ishin zgjedhjet më të vështira për presidentin turk Erdogan, i cili e ka qeverisur Turqinë për 20 vite me radhë që nga viti 2003, herë si kryeministër, e më pas si president.
Kjo pasi fushata zgjedhore e cila filloi zyrtarisht më 18 mars, ka parë kthesa të shumta, ku ato më dramatiket ishin parashikimet e sondazheve, të cilët herë shihnin Erdoganin fitues dhe herë nxirrnin Kilicdaroglun përpara.
Ajo që i shtoi më tepër zjarr këtyre zgjedhjeve ishte raundi i parë i votimeve i cili u mbajt më 14 maj, ku Erdogan nuk arriti të siguroi kuotën e duhur të votave për tu bërë president, paçka se partia e tij dhe aleatët siguruan 323 deputetë në parlament nga 600 vende gjithsej.
Kjo rriti shpresën e opozitës gjashtëpartiakë se vërtet kishin një shans për të fituar postin e presidentit me kandidatin e tyre të përbashkët Kemal Kiliçdaroglu, pasi diferenca ishte pothuajse 5 për qind.
Duke qenë se diferenca ishte aq e ngushtë, të dyja palët kthyen sytë nga kandidati i tretë më i votuar Umit Ozdag dhe nisën garën se kush do të marrë mbështetjen e tij për raundin e dytë. Por në fund pas shumë tentativave, në fillim të kësaj jave Ozdag vendosi të mbështesë kandidaturën e Erdogan.
Kjo ishte dhe goditja përfundimtare për opozitën e cila nuk arriti që të bënte për vete Umit Ozdagun, “shpresën” e vetme që mund të sillte rënien e Erdoganit.