Të paktën 4 persona humbën jetën dje në Rumani për shkak të motit të keq Boris, ndërsa shirat e dendur shkaktuan përmbytje në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Shërbimet rumune të shpëtimit njoftuan se gjetën katër të vdekur në një operacion kërkimi në zonën më të prekur, atë të Galatit (juglindje), ku u prekën 5000 familje.
Shtatëqind shtëpi u përmbytën vetëm në fshatin Slobozia Konaci, tha kryetari i rajonit, Emil Dragomir, për stacionin televiziv lokal Digi24, duke e quajtur atë një “katastrofë në një shkallë të pazakontë”. “Ne kishim përmbytje edhe 11 vite më parë, por nuk ishte aq keq”, shtoi ai, duke thënë se rruga kryesore dukej si një përrua.
Dragu Stefan, 52 vjeç, i cili punon në zonë, i tha AFP se ai u përpoq të “shpëtonte diçka” por ishte “e kotë sepse uji erdhi shumë shpejt”.
Presidenti rumun Klaus Iohannis, përmes një deklarate, ka dërguar ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. “Edhe një herë jemi përballur me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat po ndjehen gjithnjë e më shumë në kontinentin europian”, tha kreu i shtetit. “Ne duhet të vazhdojmë të presim ngjarje ekstreme të motit.”
Në Çeki janë mobilizuar 100 mijë zjarrfikës dhe pothuajse 50 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike ditën e djeshme, siç bëri të ditur kompania e energjisë CEZ.
Një spital në qytetin e Brno (juglindje) është evakuuar mëngjesin e djeshëm. Rajoni i Moravisë (verilindor) u shpall në gjendje të jashtëzakonshme.
Në qytetin Olomouc (lindje), Robert Hubinac shkoi të merrte thasë për të mbrojtur shtëpinë e tij. “Kam sjellë pothuajse tre tonë rërë që nga dje,” i tha ai AFP.
Gjendje e jashtëzakonshme u shpall edhe në Bratislavë, kryeqyteti i Sllovakisë.
Në Poloni, situata ishte më e pasigurt në jug-perëndim, sipas qeverisë, dhe orët e ardhshme do të jenë të vështira.
“Niveli i ujit vazhdon të rritet” dhe nuk ka “asnjë shpresë se do të ndalojë shiu,” i tha AFP Sofia Ovsyanka, 65 vjeç, një banore e Gluholazi.
Në Austri, erërat deri në 146 km/h janë regjistruar në pjesën jugore dhe reshjet kanë arritur në 170 litra ujë për metër katror në pjesën veriore të vendit.
Në Vjenë, zjarrfikësit iu përgjigjën rreth 150 incidenteve në 24 orët e fundit, duke përfshirë rrjedhjet e ujit në bodrum, sipas mediave lokale. Një pjesë e parkut Schönbrunn – i cili mbledh më shumë vizitorë në Austri – u mbyll për arsye sigurie, thanë shërbimet e urgjencës për APA. Varrezat do të qëndrojnë të mbyllura edhe sot.
Në malet e Austrisë perëndimore, bora bllokoi disa rrugë dhe ekipet e shpëtimit kërkuan një burrë të zhdukur pas një orteku. Tiroli është mbuluar nga një shtresë dëbore që në disa vende arrin deri në një metër, diçka e pazakontë për mesin e shtatorit, pas temperaturave të larta të regjistruara javën e kaluar./ kohajuaj