Gratë janë gjenetikisht në rrezik më të madh për çrregullime depresive sesa burrat, sipas një studimi të studiuesve australianë të botuar sot në revistën Nature Communications, i cili mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet sëmundja.

Në këtë studim të rishikuar nga kolegët, i cili përshkruhet si një nga më të mëdhenjtë e kryer ndonjëherë në këtë fushë, gratë kishin pothuajse dy herë më shumë shënjues gjenetikë të lidhur me depresionin sesa burrat, sipas studimit, i cili u drejtua nga Instituti Berghofer për Kërkime Mjekësore në Australi.

Studiuesit identifikuan rreth 13,000 shënjues gjenetikë të lidhur me depresionin tek gratë, krahasuar me 7,000 tek burrat. Disa nga këto ndryshime gjenetike mund të ndikojnë gjithashtu në metabolizëm ose në prodhimin e hormoneve.

“Ne zbuluam disa dallime gjenetike që mund të ndihmojnë në shpjegimin pse gratë me depresion përjetojnë më shpesh simptoma metabolike, të tilla si luhatjet në peshë ose ndryshimet në nivelet e energjisë”, tha studiuesja Jodi Thomas.

Çrregullimi depresiv është një nga çrregullimet mendore më të zakonshme, që prek më shumë se 300 milionë njerëz në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Deri më sot, nuk ka pasur shumë studime të besueshme që shpjegojnë pse depresioni prek gratë dhe burrat ndryshe, duke përfshirë rolin e mundshëm të gjenetikës”, tha studiuesja Brittany Mitchell.

“Gjithnjë e më shumë artikuj po tregojnë se shumë nga ilaçet që po zhvillohen aktualisht – dhe hulumtimet e kryera deri më sot – janë të përqendruara kryesisht te burrat”, shtoi ajo./kohajuaj

Burimi: APE-MPA