Qindra studentë të mjekësisë protestuan sot para Universitetit të tyre si dhe para Kuvendit, duke kërkuar anullimin e një projekt-ligji, që parashikon punësimin e tyre të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve.
Por studentët deklaruan gjatë protestës, që nëse nisma nuk anullohet, ata do të bojkotojnë vitin akademik.
Projekt-ligji parashikon një marrëveshje me studentët e Mjekësisë, që ata të punojnë deri në 5 vite brenda vendit pas përfundimit të studimeve, në sektorin publik dhe atë privat.
Edhe diplomën ata mund ta marrin vetëm pas punësimit 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas mbarimit të studimeve.
Studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërtin, u propozohet të nënshkruajnë një marrëveshje në fillim të vitit të ri akademik se pranojnë të punojë jo më pak se tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe vitit të gjashtë, se pranojnë punësimin për dy vite në Shqipëri.
Nëse studentët nuk nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë, atëherë ata duhet të përballojnë vlerën e plotë të kostos së studimeve.
Studentët e mjekësisëe nisën protestën e tyre nga sheshi para universitetit të mjekësisë dhe marshuan për disa kilometra tek Kuvendi i Shqipërisë, ku shumica socialiste kaloi për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar projekt-ligjin e miratuar dje nga qeveria.
Ata theksuan se kishin kërkuar sqarime dhe konsultime për projekte të tilla, por deri pak ditë më parë zyrtarët e universitetit ua kishin mohuar ekzistencën e këtij projekt-ligji, i cili u miratua në qeveri dhe hyri shpejt në procedurat e Kuvendit.
Dea Guri, studente e vitit të pestë Mjekësi dhe një nga organizatoret e protestës, theksoi se mjekët nuk duan të ikin nga Shqipëria, por kushtet e punës së tyre këtu janë shumë të vështira, ndaj me detyrim nuk duhet bërë mbajtja dhe punësimi i tyre, por plotësimi i detyrueshëm i standarteve profesionale.
“Ne kërkojmë anullimin e vendimit, ose në të kundërt do të bojkotojmë vitin akademik. Bëmë dy mbledhje dhe na gënjyen sy më sy se një draft i tillë nuk ekzistonte. Tani e nxjerrin të mërkuën dhe e miratojnë të enjten. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam të ikim. Kurthet dhe presionet që na bëjnë po na i vështirësojnë studimet”, tha studentja Guri.
Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për raportin e mjekëve me numrin e banorëve.
Largimi i mjekëve dhe punonjësve të tjerë pranë tyre është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor, sepse Shqipëria ka 188 mjekë për 100 mijë banorë, ndërsa në vendet e BE kjo normë është më shumë se dyfishi.
Pavarësisht kundërshtimit dhe protestës së studentëve të mjekësisë në sheshin e Kuvendit, projekt-ligji u kalua me procedura të shejtuara dhe pritet të miratohet nga shumica socialiste brenda korrikut, duke hyrë në fuqi në vjeshtë kur nis viti i ri akademik.
Kjo i vë studentët para faktit të kryer, të nënshkrimit ose jo të një marrëveshje për të punuar 2-5 vjet në Shqipëri pas kryerjes së studimeve.
Opozita ishte në krah të studentëve, duke theksuar se mjekët nuk mund të mbahen me forcë dhe reforma të tilla të nxituara nuk kanë rezultat.
“Një mijë e 200 mjekë janë larguar dhe më në fund qeveria po e sheh se ka një situatë dramatike, për sa i përket shifrave të largimit të mjekëve nga Shqipëria, po kjo nuk ndryshohet me forcë. Edhe reforma e arsimit të lartë, që u bë me forcë dhe pa dëgjuar palët, po shihet si dështoi. Sot universitetet publike janë në situatën e tyre më të keqe”, tha deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, Jorida Tabaku.
Ndërsa deputetët socialistë theksuan se me këtë projekt-ligj synohet arritja e normën europiane 3.5 mjekë për një mijë banorë, ndërsa Shqipëria është ende larg kësaj norme, krahasuar edhe me vende të rajonit.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se Shqipëria nuk i arrin dot pagat e larta të vendeve të tjerë, por ne duhet të garantojmë shëndetin publik, deri sa studimet vazhdojnë me fonde publike.
“Na duhet të bëjmë politika si kjo që është e mirëseardhur, që ne të prodhojmë mjekë për çdo cep të territorit. Mos e harroni që e kemi në zbatim një politikë të quajtur “Mjekë për Shqipërinë”, ku i kemi dhënë mundësinë një mjeku që shkon të punojë në qarqe të largëta të marrë një pagë tre herë më të lartë”, tha zoti Balla.
Largimi i mjekëve nga Shqipëria është përshkallëzuar vitet e fundit, në vendet e BE-së, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Italisë.
Ekspertë të pavarur vlerësojnë se shkak i këtij “largimi të trurit” nga vendi është sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor, ndërsa mjekët punojnë në kushte të papërshtatshme.
Kushtet e dobëta ekonomike dhe lufta e pakët ndaj korrupsionit renditen prej tyre ndër faktorët e emigrimit të mjekëve.