Ambasadorja amerikane Yuri Kim në konferencën e fundit të mandatit të saj në Tiranë përcolli dhe mesazhe të fshehura pas simboleve.

Mesazhet jo verbale që përcjell ambasadorja kanë qenë aq të fuqishme sa ato të drejtpërdrejta. Ajo që ra në sy ishte spila e dallëndyshes e vendosur në xhaketën e bardhë të ambasadores. Në Mitologji, dallëndyshja është simbol i pranverës, ngrohtësisë dhe rilindjes apo dhe fillimit të një jete të re.

Dallëndyshja shtegton dhe rikthehet sërish në folenë e saj dhe me këtë simbol, diplomatja ndoshta ka dashur të na thotë se ajo nuk është larguar përfundimisht nga foleja e saj, Shqipëria, por do të jetë gjithmonë këtu.

Ngjyra e artë e spilës së dallëndyshes tregon suksesin, arritjet dhe triumfin, duke lënë të nënkuptohet se eksperienca disa vjeçare e saj në Shqipëri ishte pozitive.

Diplomatja preferoi ngjyrën e bardhë në fjalimin e lamtumirës si ambasadore e Amerikës në Tiranë. Sipas sondazheve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bardha është ngjyra më e lidhur me përsosmërinë, të mirën, ndershmërinë, pastërtinë, fillimin, të renë, neutralitetin, paqen apo saktësinë.

Kujtojmë se në ditët e fundit të mandatit si ambasadore në Shqipëri, Yuri Kim ka marrë një detyrë të re. Në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington ajo do të mbajë detyrën e zv. ndihmëses sekretares për çështjet evropiane.