Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës , Alvaro Garcia Ortiz, u shpall fajtor për shkelje të sekretit gjyqësor nga Gjykata e Lartë, në një vendim të paprecedentë për vendin.

Aktakuza lidhej me një rast të rrjedhjes së informacionit konfidencial në lidhje me një rast evazioni fiskal që rezultoi në pezullimin e Ortiz nga detyrat e tij për të paktën dy vjet. Ortiz tani urdhërohet të paguajë një gjobë totale prej 7,300 eurosh dhe 10,000 euro kompensim për një avokat për dëme morale

Gjykata u thirr për të përcaktuar nëse Ortiz me vetëdije shkeli konfidencialitetin e hetimit duke i dhënë shtypit një dokument konfidencial në lidhje me biznesmenin Alberto Gonzalez Amador – i cili do të gjykohet gjithashtu për mashtrim tatimor – me qëllim dëmtimin e imazhit të partneres së tij, Isabel Diaz Ayuso, Presidente e Rajonit të Madridit.

Si u zbulua skandali

Në qendër të çështjes është një mesazh email-i në të cilin avokatët e Gonzalez Amador i propozuan Prokurorisë që klienti i tyre të pranonte fajësinë për evazion fiskal dhe në këmbim të një dënimi të reduktuar

Çështja filloi në muajt e parë të vitit 2024, kur drejtësia po hetonte Alberto Gonzalez Amadorin nën dyshimin për mashtrim tatimor, nga i cili ai fitoi 350,000 euro, gjatë pandemisë Covid-19.

Në mars të vitit 2024, disa media publikuan informacione rreth çështjes, dhe në veçanti diskutimet që Zyra e Prokurorit Publik të Madridit pati me avokatin e Gonzalez Amador për të arritur një marrëveshje midis tyre. Për këto rrjedhje informacioni, mbrojtja e biznesmenit akuzon Prokurorin, i cili u emërua në këtë pozicion në vitin 2022, nga qeveria socialiste e Spanjës.

Megjithatë, disa nga informacionet e publikuara në atë kohë ishin të pasakta, pasi thuhej se Prokuroria u kishte bërë një propozim avokatëve të biznesmenit për ta mbyllur çështjen, ndërsa në realitet ndodhi e kundërta.