Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi të hënën një paketë të re masash kundër Izraelit, mes presionit në rritje për t’i dhënë fund operacioneve të tij në Gaza. Qeveria spanjolle do t’u ndalojë anijeve dhe avionëve që transportojnë armë në Izrael të hyjnë në portet spanjolle dhe të përdorin hapësirën ajrore të vendit.
Në të njëjtën kohë, Spanja do të rrisë mbështetjen e saj financiare për Autoritetin Palestinez dhe Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), ndërsa do të vendosë një embargo për produktet e prodhuara në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
“Qeveria ka vendosur të zbatojë menjëherë nëntë masa shtesë për të ndihmuar në përfundimin e gjenocidit në Gaza, për të çuar përpara ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës dhe për të mbështetur popullin palestinez”, tha Sanchez nga Madridi.
Kryeministri spanjoll shtoi se qeveria do të ndalojë hyrjen në Spanjë për këdo që është i përfshirë drejtpërdrejt në krime që lidhen me dhunën në Gaza, duke nënvizuar:
“Shpresojmë që këto masa do të rrisin presionin mbi kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij, në mënyrë që popullsia palestineze të lehtësohet të paktën pjesërisht.”/kohajuaj
Burimet: APE-MPA-Reuters-AFP