Asnjë prej politikanëve shqiptarë nuk e ka të sigurt postin. Ndërkombëtarët janë duke i verifikuar një e nga një të gjithë zyrtarët kryesorë të shtetit dhe janë të shumtë ata që pritet të përfundojnë pas hekurave. Shumë shpejt pritet që autoritetet shqiptare dhe ato britanike të nisin reprezaljen në radhët e politikanëve dhe bosëve të krimit që pastrojnë para. Britania e Madhe ka vendosur që të pastrojë bankat e shtetit të saj nga paratë e pista. Londra është kthyer në qendrën e fshehjes së parave të korrupsionit, por kushdo që ka dërguar aty paratë ka marrë fund. Sinjalet se do të nisin goditjet e forta i ka dhënë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i cili ka zhvilluar në datat 4 dhe 5 korrik 2023 një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar ku pati takime me përfaqësues të lartë të Home Office, National Crime Agency, Croën Prosecution Service dhe Foreign Office. Mësohet se në këto takime u zgjeruan hetimet për pasuritë e politikanëve të korruptuar dhe Londra forcoi edhe më shumë bashkëpunimin me SPAK në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Raportohet se në takime, Dumani nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite për prezantimin e strategjisë por dhe nevojës për mbështetje të SPAK nga autoritetet zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar në përmbushjen e objektivave dhe synimeve të saj të cilat i shërbejnë interesave të përbashkëta të të dy vendeve.
Dyshime për Ilir Metajn dhe Arben Ahmetajn
Dihet tashmë se janë shumë emra që i kanë dërguar jashtë vendit paratë e korrupsionit. Burime jozyrtare bëjnë me dije se “nën rrethin e kuq” janë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Metaj dhe ish-ministri Arben Ahmetaj. Dyshimet janë se këta dy politikanë kanë fshehur pasuri në Britani. Që kur SHBA detyruan Parlamentin Shqiptar të miratonte reformën në drejtësi dhe nisën lëvizjet për ngritjen e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, dërguan në Angli fëmijët dhe një pjesë të parave të korrupsionit dhe krimit. Në të njëjtën kohë, Ilir Meta nisi të kalonte të gjithë pasurinë në emrin e Monikës, me qëllim që kur të vijë ora e drejtësisë të shpëtojë njëri.
Pastrim parash
Që nga vitit 2011 e deri më sot nga vendi ynë kanë dalë më shumë se 2 miliardë dollarë. Shifrat janë bërë publike nga raporte të shumta ndërkombëtare dhe nga të dhënat e siguruar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por nëse bëhet një kërkim në faqen zyrtare të ILDKP, transferta ka pasur dhe kohët e fundit. ILDKP ka paditur në prokurori disa gjyqtarë, deputetë, ish-deputetë dhe ish-ministra për fshehje pasurie dhe transferta jashtë vendit të dyshimta. Po ashtu Drejtoria e Pastrimit të Parave ka bllokuar shumë llogari me qindra mijëra euro.
Sa i takon rrugëve që janë ndjekur, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka treguar se paratë dalin në mënyrë tokësore dhe përmes transfertave, ndërsa sipas një raporti të Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë e Departamenti Amerikan të Shtetit, paratë fshihen kryesisht në Londër dhe Zvicër. Ndërsa vetë DASH ka theksuar se një pjesë e madhe e parave të korrupsionit janë investuar në bregdet.