SPAK ka vënë nën sekuestro vilën e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Një ditë më parë GJKKO vendosi sekuestro preventive të pasurive të paluajtshme, llogarive bankare dhe aksioneve që dispononte Jamarbër Malltezi.

Bëhet fjalë për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave), bëri me dije SPAK.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua të shtunën me urdhër të SPAK, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla lidhur me privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”.

Në pranga u vu edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masë detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit edhe, për ish-kryeministrin Sali Berisha me akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.