Flamur Noka tha se SPAK duke hapur hetimet ndaj tij për çështjen e pasurisë, kishte për qëllim t’i mbyllte gojën.

Sipas Nokës kjo ishte një tentativë pengmarrje, ndërsa hoqi paralele mes vetes dhe Agron Shehajt i cili sipas tij pasi u kërcënua nga mazhoranca se do t’i godisnin biznesin, po i shërben shumicës.

“Edhe çështja që më është hapur mua, apo kolegëve të tjerë nga SKAP-i i partisë, ishte tentativë për të marrë peng. Ishte tentativë për të më marrë peng. Por nuk merret peng Flamur Noka. Flamur Noka nuk merret peng sa të jetë gjallë.

Ata janë të qartë tashmë. Por më dhimbset, unë Agron Shehajn e shoh me dhimbje sepse pengmarrja është akt i dhimbshëm. Dinjiteti e dini kur është? Unë jam deputet i zgjedhur me votat e demokratëve.

Në momentin që unë bindem se s’do jem më me PD-në, dorëzoj mandatin, mandati është i demokratëve”, u shpreh Noka në emisionin “Kjo Javë” në News24.