Kryeprokurori i SPAK Altin Dumani ka folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian ditën e sotme, nga ku ka deklaruar se SPAK ka bashkëpunim me shumë agjenci të huaja në Europë dhe vijon punën për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.

Ai propozoi ngritjen e kufirit minimal për hetimin e dosjeve të korrupsionit, kufi i cili qëndron më shifrën e 50 mijë lekëve të reja.

Dumani u shpreh se kjo sjell mbingarkesë me çështjet në SPAK, institucion i cili sipas tij duhet të hetojë vetëm rastet e korrupsionit të madh.

Ai u shpreh se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale në këto raste duek ulur mbingarkesën e dosjeve në SPAK.

“Të gjithë synojmë patjetër të rrisim gjeografinë e vendeve të rajonit ku të bashkëpunojmë. Sa i takon vendeve të BE apo Britanisë kemi shumë skuadra të përbashkëta dhe synojmë të zgjerohemi me vendet nordike. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me këto agjenci.

Sa i takon punës së SPAK, dua të sjell në vëmendje konkluzionin e reporterëve të KiE-së. Ata patën shqetësim për korrupsionin dhe vlerësuan rezultatet e SPAK. SPAk duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë.

SPAK gjatë 9-mujorit ka qenë e vëmendshme dhe vëmendje ka marrë identifikimi i vlerës së produktit të veprës penale me qëllim final sekuestrimin e pasurive të vendosura nga korrupsioni. Janë dhënë 4 vendime për sekuestro preventive”, u shpreh Dumani.