Menjëherë pasi Kuvendi votoi pro heqjes së imunitetit për ish-ministrin Arben Ahmetaj, SPAK ka depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për arrestimin e ish-zv.kryeministrit. Kërkesa e SPAK është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili do të duhet të shqyrtojë materialin hetimor në një afat prej 48 orësh dhe më pas të dalë me një vendim.
Pas vendimit të Gjykatës, nëse pranohet kërkesa e SPAK pritet që policia të ushtrojë kontrolle në të gjitha banesat e Ahmetajt dhe të bëjë kërkimet për ta gjetur atë. Ligjërisht procedura e kërkimit në territorin shqiptar te ish-ministrit do të marrë të paktën 2 javë kohë, deri në deklarimin e tij si “të ikur”. Vetëm pas këtij momenti, SPAK bën shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt, pasi e akuzon atë për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme, ndërsa ish.zv-kryeministri nuk ndodhet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë. Ahmetaj thotë se do të dalë kur e vërteta sipas tij, të ketë marrë dritë dhe të lexohen të gjitha provat në favor të tij.
Ish-zëvendëskryeministri rezulton të jetë larguar nga Shqipëria dhe ende nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij. Gjatë kësaj kohe ka shumë aludime rreth vendndodhjes së ish-ministrit, ku disa burime pretendojnë se mund të ketë shkuar në Kanada, e disa të tjera në Europë. Vetë avokatët e tij thanë se ai gjendet në Angli. Ahmetaj akuzohet si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, pasi gjatë kohës që ka qenë ministër, ka favorizuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, duke marrë para prej tyre. /LAPSI.al