Në një kohë që Sali Berisha, prej fitores së Donald Trump, ka nisur e thotë se do t’i hiqet “non grata”, Ambasada amerikane, në një reagim që ka bërë këtë të martë, thotë se SHBA i qendron pozicionit të saj, për personat e përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.
“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë.
I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.
Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë.
Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, thuhet në një deklaratë nga e ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, e publikuar nga Ambasada amerikane në Tiranë.
Kujtojmë se ish kryeministri Berisha dhe familja e tij janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë më 19 maj të vitit 2021.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes një mesazhi në Twitter në atë kohë.