Grupi i prokurorëve në Durrës po heton një skandal të madh lidhur me eksportin e mbetjeve të dyshuara toksike.

Janë sekuestruar disa mostra të materialeve pranë kompanive Kurum dhe Sokolaj shpk, të cilat janë dërguar për ekspertizë laboratorike për të përcaktuar përbërjen e tyre dhe për të verifikuar nëse janë të njëjtat me ato që janë ngarkuar në 102 konteinerët që ishin nisur drejt Tajlandës

Këta konteinerë janë duke u kthyer drejt Portit të Durrësit pasi vendi pritës nuk dha miratimin për pranimin e ngarkesës.

Prokuroria ka sekuestruar konteinerët dhe do të kryejë analizat e nevojshme për të hetuar më tej çështjen.

Ndërkohë, prokurorët po vazhdojnë me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për rastin dhe që janë përfshirë në procedurat e eksportit.

Kompania Sokolaj, me administratore Gjovana Sokolaj, është ajo që ka kryer eksportin e mbetjeve të dyshuara toksike, të cilat i ka blerë nga kompania Kurum.

Ky rast po hetohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe transportit të mbetjeve të rrezikshme, dhe nën hetim janë zyrtarë të doganës, si dhe përfaqësues të kompanive Kurum dhe Sokolaj.