Në nëntor të vitit 1998, qeveria e Austrisë i dhuroi Shqipërisë 80 vagona për rikuperimin e sistemit hekurudhor.
Në atë kohë, ishte kryeministër Pandeli Majko dhe zv.kryeministër Ilir Meta.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, zbuloi pak kohë më vonë se njerëz të pushtetshëm ia kishin shitur Drejtorisë së Hekurudhave, megjithëse vagonat ishin të falur.
Mediat opozitare, por edhe opozita, akuzuan zv.kryeministrin Ilir Meta si autor dhe përfitues të këtij akti korruptiv.
Ndërsa paratë për 80 vagona të shitur në mënyrë fiktive Drejtorisë së Hekurudhave kishin shkuar në dorë të përfituesve, ishte stopuar edhe tërheqja e vagonëve të falur nga Austria.
Në prill të vitit 2001, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatonte se kishin mbetur pa tërhequr 31 të tillë. Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet, por si çështje tjetër ku ishin të përfshirë pushtetarë, u mbyll pa asnjë rezultat.
Opozita akuzoi hapur zv.kryeministrin Ilir Meta, i cili në kohën kur zhvillohej ky debat, i kishte zënë vendin Majkos dhe ishte kryeministër i Shqipërisë.
Kur Ilir Meta u bë kryeministër, çështja e vagonave u mbyll plotësisht nga drejtësia pa dhënë asnjë detaj.
Skandali i 80 vagonave të falur është ndër të parat akuza publike në ngarkim të Ilir Metës.
Më pas, lista e akuzave do të shtohej me shpejtësi, pasi përveç opozitës, do të ishte ish-kryeministri Fatos Nano që do të lëshonte një lumë akuzash ndaj Ilir Metës, në përballjen e gjatë mes tyre, duke kulmuar në mbledhjen e famshme të Komitetit Drejtues të PS-së në dhjetor 2001.
Në nëntor të vitit 2002, në një debat parlamentar, deputeti demokrat Ridvan Bode, do të rendiste një sërë akuzash për korrupsion ndaj qeverisë Meta, për të cilat nuk u hetua kurrë.
Ridvan Bode: “Gati 2 vjet më pas gjithçka është harruar, por gjithkush tani e njeh përkushtimin e Kryeprokurorit në mbrojtje të interesave të shtetit, për të mos folur për rreth 1 milionë dollarë të vjedhur në Bankën e Kursimit e në bankat e tjera pa ndëshkuar kënd.
Tenderat, kjo fjalë e pakuptimtë deri para disa vjetësh, ka dominuar këto tre vjet, jo vetëm interesat e shprehura të klaneve në ndarjen e pushtetit, por edhe deklarimet tuaja për fillim hetimesh.
Keni deklaruar, zoti prokuror, personalisht, deri më sot, se ka përgjegjësi penale për pushtetarët dhe se keni filluar hetimet në tenderin e rrugëve të Tiranës të vitit 1998, të rrugëve nacionale po atë vit, të njohurin me emër tenderi i orizit, tenderin e veshjeve ushtarake, tenderin e lyerjes së ministrive, tenderin e vagonave, tenderat e shumtë të KESH-it, tenderin e kabllove, rreth 1 milionë dollarë, dhe të kartave telefonike të Telekomit, tenderin e pasaportave, për një diferencë 2.9 milionë dollarë, si dhe mbi 50 raste tenderash të denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm për vitin 2000, nga 340 tendera, 157 prej tyre ishin me prokurim të drejtpërdrejtë dhe jashtë procedurave ligjore.”