Dita e djeshme ishte e zezë për disa familje në vendin tonë, të cilët humbën të afërmit e tyre në mënyrë tragjike.

Ngjarja më e rëndë ishte ajo në liqenin e Banjës ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën duke u mbytur në ujërat e liqenit.

Të vdekur mbetën Gazment Zogu, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar Melis Zogu të gjithë nga fshati Cingar.

Polumbarët e RENEA-s arritën të nxirrnin trupat e pajetë në orët e vona të së premtes.

Dy viktima të tjera u shënuan në plazhet e Durrësit dhe Tales. Njëra ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano rreth orës 19:20 sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore, ku ka gjetur vdekjen.

Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales ku humbi jetën një 52-vjeçar.

Një 45-vjeçar bojaxhi po ashtu ka humbur jetën dje  teksa lyente muret e një ndërtese pasi ka rënë aksidentalisht nga lartësia.

Si pasojë e tre aksidenteve të rënda ndërruan jetë tre persona të tjerë ditën e djeshme.

Njëra viktimë ishte në aksin Elbasan-Peqin, ku si pasojë e një aksidenti humbi jetën një 58-vjeçar, ndërsa viktima tjetër u shënua në fshatin Fortuzaj në Tiranë, ku një “Range Rover” ra në humnerë dhe mbeti pa jetë një person ende i pa identifikuar. Si pasojë e një tjetër aksidenti në Himarë, ka humbur jetën një 40-vjeçar në fshatin “Shën Vasil”.

Dife Gërdani ndodhej në shtëpi kur humbi jetën tragjikisht dje duke rënë në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa po tentonte të piqte bukën në furrë.