Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me kampet e refugjatëve që do të funksionojnë në Shqipëri pas marrëveshjes Rama-Meloni.

Mediat italiane kanë publikuar të dhëna mbi mënyrën se si këto kampe do të organizohen.

Të tre strukturat do të mund të strehojnë pak më shumë se një mijë persona në të njëjtën kohë dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna dhe persona të tjerë të konsideruar të pambrojtur.

Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit.

 

 

Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër. Një qendër do t’i kushtohet konstatimit të parakushteve për njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare dhe do të jetë në gjendje të akomodojë maksimumi 880 persona, ndërsa struktura e dytë është një qendër paraburgimi për riatdhesim me një kapacitet maksimal prej 144 personash.

Parashikohet që objekti në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor, një dhomë për vizitat ambulatore, një dhomë me tre shtretër dhe një dhomë izolimi.

Kampi në Gjadër, parashikohet të ketë tre dhoma për vizita ambulatore, dy dhoma me tre shtretër, një sallë operacioni, një laborator analizash, një dhomë me instrumente për radiografi dhe ekografi, një dhomë për vizita psikologjike dhe psikiatrike.

Një ekip mjekësh duhet të punojnë brenda kësaj strukture 24 orë në ditë: një mjek i specializuar në anestezi dhe reanimacion, një mjek i specializuar në kirurgjinë e përgjithshme, një mjek i specializuar në ortopedi me aftësi kirurgjikale, një personel mjekësor i specializuar në psikiatri, një infermiere instrumentale, një punonjës social, një teknik laboratori, një teknik radiologjie dhe një punonjës shëndetësor i specializuar në radiologji.

Qeveria italiane është treguar specifike edhe në lidhje me veshjet që do t’u ofrohen refugjatëve.

Parashikohet se atyre do t’u jepen pantallona, një këmishë, një bluzë, një palë pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Pritet vetëm një ndryshim mes veshjeve të ofruara për periudhën e dimrit dhe atë të verës.

Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat. Nëse një gjë e tillë ndodh, ato do të kthehen nga autoritetet shqiptare.