Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar në lidhje me marrëveshjen nëpërmjet Drejtorisë së Tatimeve, Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe dy shoqatave të autoshkollave për përcaktimin e kostos për marrjen e lejes së drejtimit.

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Tatimet dhe Drejtoria e Transportit lidhur me këtë marrëveshje.

AK në njoftimin e shpërndarë për publikun thotë se “Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtim”.

Njoftimi:

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa shqetësime të bëra publike nga media në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi  përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti, ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.

Për sa më sipër , Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.