Propozimi i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të “Urdhrit Bektashi” ka ngjallur reagimin e politikës.
Deputeti Dashnor Sula në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se me këto plane po humbasim sovranitetin dhe se duhet të jemi të kujdesshëm me artikulime të tilla.
“Po humbasim sovranitetin. Shteti ka kufij ka territor. ka të drejta të tjera. Politikanëve tanë, a Ramës mos u duhet një oaz ku të strehohen që nesër mos të ketë autoritet drejtësia, apo që të kenë të ruajtur financat. Më vjen keq është diçka që krijon një ndjesi shumë të keqe, çfarë hallesh kemi ne…
Nuk do të doja ta besoja seriozisht, duhet të jemi të kujdesshëm me artikulime të tilla. Unë mendoj se Rama e ka gabim. Nuk kemi pasur kurrë probleme mes komuniteteve fetare.
Shqipëria është vendi ideal për bashkëjetesën e komuniteteve fetare, katolikët, myslimanët dhe bektashinjtë të gjithë të jemi bashkë. Është gjë shumë e mirë… por nëse do të bëjmë këtë lloj gjëje imagjino se çfarë do të ndodhë”, – tha Sula.
I pyetur për situatën brenda Partisë Demokratike, Sula nënvizoi se nuk mund t’ua japin pushtetin në tavolinë Edi Ramës, ndërsa mbrojti kreun e PD-së Sali Berisha në luftën e këtij të fundit me drejtësinë.
“Nga pikëpamja individuale çfarë bëhet me Berishën janë qëndrime që i kanë ndërkombëtarët. Kjo nuk na pengon ne mos të vazhdojmë dhe mos të kemi opozitë në përballë mazhorancën. Këtu ka problem shumë të mëdha, nëse do të vazhdojmë kështu… i bie mos të kemi zgjedhje fare.
Nuk është kjo qasja, nuk mund të bësh që t’i japësh pushtetin në tavolinë mazhorancës. Akuza që i bëhet Berishës është shumë larg nga akuzat që ka mazhoranca për korrupsion tenderash, korrupsion koncesionesh”, tha Sula.