Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, duke i quajtur ato “të nevojshme për ta bërë Amerikën të pasur përsëri”.

Në një deklaratë për shtyp me tematikën se “Pse janë të nevojshme tarifat e Presidentit Trump”, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se politikat tregtare të mëparshme kanë dështuar të mbështesin ekonominë e SHBA-së për dekada, por tani, sipas saj, po bëhen përparime në “rimbushjen e industrisë amerikane”.

Deklarata thekson se disa vende dhe kompani të mëdha kanë marrë vendime për të investuar në SHBA që kur Trump mori detyrën në janar, si një pjesë e strategjisë së tij për të rritur prodhimin dhe zhvilluar ekonominë amerikane. Një shembull i tillë është Apple, e cila njoftoi në shkurt një investim prej 500 miliardë dollarësh në prodhim dhe trajnim në SHBA.

Shtëpia e Bardhë e justifikon politikën e tarifave si një mjet për të rikthyer industrinë amerikane dhe për të ndihmuar në zhvillimin e një ekonomie më të fortë dhe të qëndrueshme, duke theksuar se këto masa janë pjesë e një plani më të gjerë për të siguruar një rritje ekonomike afatgjatë.