Moti në shtator regjistroi anomali të paprecedenta temperaturash, duke e bërë 2023-shin më të nxehtin e të gjitha kohërave.

Sipas institucionit evropian “Copernicus”, mesatarja globale e temperaturave në shtator theu rekorde me një marzh absurd të cilin ekspertët e klimës vazhdojnë ende ta studiojnë si fenomen.

Shifrat tregojnë një anomali temperaturash me 0.9 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020. E konvertuar në epokën industriale, kjo kthehet në një rritje prej 1.7 gradë Celsius, që tejkalon objektivin e Marrëveshjes së Parisit për klimën prej 1.5 gradë për nivelet paraindustriale.

Temperaturat e paprecendenta për këtë periudhë të vitit vijnë pas një vere rekordesh që kanë bërë që të rritet kërkesa për ndërhyrje urgjente në planin e aksionit klimatik.

Një tregues se si globi po ngrohet është edhe sipërfaqja e akujve të Arktikut dhe detit të Antarktidës, me studimet që e mbajnë atë në rekordin minimal të niveleve për këtë pjesë të vitit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga “Copernicus” për detin e Antarktidës në shtator, zgjerimi i akujve ishte 9 për qind poshtë mesatares, ndërsa në detin arktik kuota ishte 18% poshtë mesatares.