Bajram Begaj është tashmë presidenti më i paguar në rajon. Pas votimit në Parlamentin shqiptar për rritjen e pagave, rroga mujore e Begajt shkon në 3860 euro (ishte 2320 euro).

Parlamenti shqiptar veç rritjes së pagës së presidentit, rriti dyfish edhe rrogat e deputetëve dhe të ministrave.

Begaj kalon në rajon edhe presidentët e Kroacisë dhe të Sllovenisë, që paguhen deri në 3500 euro në muaj.

Pas tyre janë tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, secili me nga 2,920 euro në muaj në pozicionin e tyre drejtues dhe më tej zbret presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, i cili ka rrogë 2420 euro.

Ndërkohë, paga e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas rritjes së fundit shkon në 2160 euro, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, të cilit i është rritur paga në janar, merr sot 1700 euro në muaj. Me një diferencë prej 200 eurosh, listën e mbyll Stevo Pendarovski me pagë mujore 1500 euro.

Në të gjithë rajonin, pagat e zyrtarëve janë një temë e ndjeshme në sytë e publikut, sepse ata marrin përveç rrogës, marrin edhe të ardhura të tjera, disa herë më shumë se qytetarët e zakonshëm dhe aq më tepër që janë të akuzuar shpeshherë për korrupsion dhe favore të paligjshme.