Përfundimet e Censusit të shpendëve ujor dimërues në Shqipëri, pjesë e Censusit Ndërkombëtar, zhvilluar më 13-14 janar në rreth 143 shtete të botës, tregoi se edhe këtë vit në ligatinat e Shqipërisë dimëruan një numër më i vogël i shpendëve ujor.

Censusi u zhvillua në 33 ligatina të Shqipërisë dhe në të u përfshinë 91 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura së bashku me 11 ekspertë të shpendëve, pjesë e organizatave joqeveritare.

“Rezultati i Censusit është që Shqipëria sivjet ka rreth 100 mijë shpendë uji që dimërojnë nëpër ligatinat shqiptare duke filluar nga veriu drejt jugut, por nga pikëpamja e rëndësisë Divjakë-Karavastaja është zona më e rëndësishme e ndjekur nga Liqeni i Shkodrës, Vjosë-Narta, Kune-Vauni, e kështu me radhë. Nëqoftëse marrim shifrat nga 1996, që ne i monitorojmë, ka një rënie të numrit të shpendëve, që do të thotë se duhen orientuar politikat që të mbrohen sa më mire ligatinat, që të shtohet edhe numri i shpendëve ujor”, thotë Taulant Bino, nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë.

Në 38 vendet e numërimit të shpendëve ujor dimërues në Liqenin e Shkodrës, atë të Vaut të Dejës, Lumit Buna si dhe Lagunën e Velipojës, sipas ekspertit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Rajonin e Shkodrës, Tonin Macaj, u vërejt një rënie e ndjeshme e numrit të shpendëve ujor dimërues, ç’ka dëshmon edhe për shëndetin e këtyre zonave.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fshqiperia pjese e censusit nderkombetar te shpendeve ujor dimerues ja rezultati%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

“ Në të gjithë zonën e Europës këtë vit ka patur një dimër shumë të butë dhe shpendët që shtegtojnë për të kërkuar kushte më të mira nuk e kanë patur të nevojshme që të spostohen. Kjo ka ndikuar që numri i shpendëve dimërues këtë vit ka qenë rreth 30 përqind më i ulët se sa vitet e tjera”, thotë ai.

Për biologen Aurora Piroviq, një vëzhguese e vëmendshme e ndryshimeve në Liqenin e Shkodrës, shpendët janë treguesit e ndikimit të ndryshimeve klimatike, por edhe pasojave të ndërhyrjeve njerëzore në mjedis.

“Shpendët janë treguesi që po e shfaqin ndikimin e ndryshimeve klimatike, por është edhe faktori njerëzor. Akoma ekzistojnë aktivitete ilegale që sjellin edhe shqetësim të shpendëve, prishje të habitateve apo ndërhyrje dhe kërcënime ndaj këtyre shpendëve”, thotë ajo.

Gjatë 80 viteve të fundit, në Shqipëri ka patur ndërhyrje të vazhdueshme në ligatinat, që janë edhe zonat me ekosistemet natyrore më të rralla dhe më të pasura përsa i përket pasurisë biologjike.

Vitet e fundit, thotë ornitologu Mirjan Topi, këto zona po kërcënohen edhe nga prirja për urbanizimin e tyre.

“ Ne kemi rreth 2.7 përqind sisteme ligatinore nga të cilat 1.5 përqind janë ligatina bregdetare dhe rreth 1.2 përqind ligatina tokësore me ujë të ëmbël. Ndonëse ato përfaqësojnë ekosistemet më të rralla, në të njëjtën kohë ato përfaqësojnë edhe ekosistemet më të kërcënuara në Shqipëri. Një pjesë e madhe e investimeve janë përqëndruar pikërisht në këto zona, investime që lidhen me energjinë, transportin, etj”, thotë ornitologu Mirjan Topi.

Në muajin nëntor, 12 deputetë i paraqitën Kuvendit disa ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura në Shqipëri, për t’u dhënë të drejtën bashkive që të menaxhojnë rreth 20 përqind të këtyre zonave. Kjo ka ndeshur në kundërshtimin e grupimit të shoqatave mjedisore, pasi, sipas Taulant Bino, ndryshimet i hapin rrugë urbanizimit të këtyre zonave, duke dëmtuar më tej biodiversitetin e zonave të mbrojtura, si një pasuri kombëtare.

“Shumë prej ndryshimeve të propozuara në ligj nuk qëndrojnë dhe sidomos disa prej neneve që lejojnë aktivitete që nuk përkojnë me disa kategori të zonave të mbrojtura. Disa parime të projektligjit nuk janë të pranueshme, por ka edhe tendenca si administrimi i të paktën 20 përqind të sipërfaqes nga bashkitë, që, nga njëra anë edhe nuk qëndron pasi ka zona të mbrojtura që gjenden në territorin e më shumë se 5 bashkive. Pra, nuk bën sens edhe nga pikëpamja e shifrave”.

Drejtuesi i shoqatës ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino, thotë se ekspertët mjedisorë shpresojnë të dëgjohet zëri i tyre, në mënyrë që këto ndryshime të mos miratohen dhe që të mos cënohen zonat e mbrojtura në Shqipëri./VOA