Shqipëria e minifutbollit pret biletën për në gjysmëfinalen e EuroCup. Kuqezinjtë fituan edhe ndeshjen e fundit të grupit C teksa mundën Spanjën me rezultatin 2-1. Për përfaqësuesen kuqezi është padyshim një rezultat historik, pasi në pjesëmarrjet e mëparshme në të tilla turne kurrë nuk kishte kaluar përtej fazës së grupeve.
Sfida nisi vrullshëm për të besuarit e Irtan Sejkos teksa në harkun e 8 minutave të para u shënuan dy gola. Gledis Nuza shfrytëzoi mjaft bukur një pasim të Recit në minutën e 2′ dhe me një kthesë fantastike mposhti portierin spanjoll Costas.
Dominimi i kuqezinjve vijoi dhe 6 minuta më vonë gjeti rrugën e rrjetës dhe Endri Kaca. Kapiteni i skuadrës përfitoi shkëlqyeshëm nga një dalje në sulm dhe me një goditje nga jashtë zonës i dha epërsinë e dyfishtë Shqipërisë.
Diferenca e dy golave u ruajt deri në minutën e 35′, ku Rodriguez ngushtoi shifrat, por vetëm kaq për Spanjën, teksa Shqipëria mbrojti me fanatizëm deri në fund.
Tashmë, Shqipëria do të presë në gjysmëfinale Gjeorgjinë ose Qipron në duelin që do të zhvillohet të shtunën dhe si gjithmonë do të mund të ndiqni në Supersport.