Në Shqipëri, policia po kontrollon hyrje-daljet nga kampi Ashraf 3, në Manzë, ku strehohen afro 2500 anëtarë të organizatës MEK, muxhahedinët e popullit Iranian. Masat e policisë pasojnë përplasjet e forta që ndodhën pasi policia ndërhyrjen javën e shkuar në brendësi të kampit, për kontrollin e mjediseve, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit. Prokuroria e posaçme ka dyshime se MEK, ka organizuar sulme kibernetike ndaj Iranit
Pas shumë vitesh qëndrimi në Shqipëri, ku anëtarët e organizatës MEK, u pritën për arsye humanitare, dhe angazhimit të autoriteteve për mbrojtjen e tyre, situata ka ndryshuar ndjeshëm, pasi javën e shkuar, Gjykata miratoi urdhërin e Prokurorisë së Posaçme për të ndërhyrë dhe ushtruar kontroll në mjediset e shumta të kampit. Rezistenca e banorëve, sidomos kur forcat e shumta të policisë ju afruan sallave të serverave, çoi deri në përplasje mes palëve.
Drejtuesit e MEK-ut reaguan me një gjuhë të ashpër duke e cilësuar ndërhyrjen e policisë si “sjellje kriminale e barbare”, që madje sipas tyre ishte nxitur nga Irani, shtet me të cilin Shqipëria ndërpreu verën e kaluar, marrëdhëniet diplomatike, pasi deklaroi se ishte organizatori i sulmit masiv kibernetik mbi infrastrukturën digjitale të vendit.
MEK-u po ashtu kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe OKB-ja që të dënonin ngjarjen. Por në fakt Uashingtoni I doli në krah autoriteteve shqiptare. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se “mbështesim të drejtën e Shqipërisë, për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuar që zbatohen për çdo lloj mysafiri, dhe këta mysafirë duhet t’i respektojnë ato”.
Ndërhryja në Kampin Ashraf 3 u urdhërua pasi hetimet e Prokurorisë së Posaçme, dhe të dhënat e grumbulluara nga policia, çuan në dyshime të forta se anëtarët e MEK-ut kanë përdorur territorin shqiptar për të kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit, në disa periudha të ndryshme kohore, si dhe drejt disa institucioneve në shtetin Iranian, dhe madje, “se pjestarë të organizatës, janë të përfshirë në aktvitet kriminal të terrorizmit dhe të financimit të terrorizmit”./VOA