Nga Xhovan SHYTI –
E nisi rreshtimin e vet tridhjetë vite më parë si dirigjent i Partisë Demokratike për ta përfunduar, turpësisht, tridhjet vite më pas si shkatërrues i saj dhe krejt opozitës shqiptare të gjendur aktualisht ndër këmbët e maxhorancës socialiste “rilindase” të Edi Ramës.
Ky është Sali Berisha. Tre dekada më parë i përzgjedhuri i amerikanëve e po kaq dekada më pas, në 19 maj 2021, i shpallur prej tyre “non grata” (i padëshiruar), me motivacionin skandaloz të përfshirjes në korrupsion të përmasave të tilla sa ka cënuar demokracinë shqiptare.
“Veprat e korrupsionit të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, komunikoi në twiter mandat-vendimin, sekretari Amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, mandat pas të cilit të gjithë menduan se do të sillte fundin politik të njëriut që ndër dekada e kishte shkërrmoqur të ardhmen demokratike të vendit, me diktaturën më të egër komuniste, njësoj si gurët e mullirit drithin.
Mirëpo sa ndikoi “predha” ndëshkuese amerikane në arritjen e qëllimit anti-Berishë? A ja doli ajo ta heqë qafe, apo më e pakta ta izolonte veprimtarinë politike shkatërrimtare të njeriut që pas hipjes në krye të Partisë së themeluar prej studentëve e shpalli atë pronë të tarafit të tij familjar?
Në planin aktual jo, në atë perspektiv ndoshta!? Sepse edhe pas mandatës “non grata” të SHBA, falë haraçeve të drejtësisë së “plepave”, Sali Berisha, sfidoi moshën e thepisur dhe rinisi betejën e tij vetëmbrojtëse, duke ndezur fitilin e përçarjes jo vetëm të PD-së, pronë e tarafit të tij familjar, por të krejt opozitës.
Në PD-në e katandisur në dy pjesë, me dy godina e një vulë legjitime, ndonëse i shpallur i padëshiruar për të qenë lider opozitar i ecjes së Shqipërisë në rrugën e të ardhmes euroatlantike, e theksojmë: falë deficencës së institucioneve të drejtësisë së re, megjithatë Sali Berisha vijon të ketë pjesën e tij pronësore të PD-së së “rithemeluar” arbitrarisht e të panjohur ligjërisht. Gjë që për të ka pak rendësi. Pasi kaq i mjafton për të bërë “kashtë e koqe” partinë e parë legjitime, simbol i betejës antikomuniste, me detashmentet e qëndrestarëve të tij “foltoristë”, të cilët, në të kundërt të asaj që në të vërtetë janë, i shet si aset të mjaftueshëm për të rrëzuar nga pushteti qeverisës dhjetë vjeçar Edi Ramën.
Me “revolucion”, artikulon, vend e pa vend, Sali Berisha, edhe pse e di që në mungesë të një PD-je unite e solide, si tridhjetë vite më parë, dhe me një opozitë të shkatërruar, ditët e fundit të qeverisë Rama zgjasin pambarimisht. Kurse revolucioni ndryshues mbetet veç slogan që s’të shpie kërrkund./ Koha Juaj.com