Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë vendimin e shkallës së parë të vetingut për ish-gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari dhe la në fuqi shkarkimin e saj për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe për mosdeklarimin e revokimit të vizës amerikane.
Megjithatë, Hajdari arriti të hiqte nga vlerësimi i saj konkluzionin e KPK për cënim të besimit të publikut tek drejtësia në ndërtimin e një pallati pa leje, që u rrëzua prej Kolegjit me arsyetimin se kjo gjetje nuk u përket dy kritereve për të cilat është përmbyllur procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi. Po ashtu, disa shkelje nuk u vlerësuan penalizuese.
Fatmira Hajdari u shkarkua prej Komisionit më 18 qershor 2020, pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve, krijimin e pasurive dhe për kryerjen e transaksioneve të padeklaruara për 12 vjet radhazi. Po ashtu, KPK konstatoi se ishte kryer vepra penale e “ndërtimit të paligjshëm” në një pallat, që u konsiderua si cënim i besimit të publikut tek drejtësia.
Fatmira Hajdaraj është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’, i cili u vra në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, u dekretua në Gjykatën e Apelit të Tiranës, pozicion që e mbajti deri në shkarkimin nga detyra.
Kolegji i ka rrëzuar si të pabazuara shkaqet procedurale të ngritura nga subjekti lidhur me procesin e rregullt ligjor, duke konsideruar se i janë garantuar të drejtat gjatë procesit të vetingut ndaj saj në Komision…/Reporter.al
Koha Juaj.com vjen si media që gazetarinë e konsideron mision, jo pasurim. NA NDIQNI SE NUK DO TË ZHGËNJEHENI