Tirana, dhe jo vetëm, është kthyer në qytetin që po thith trendet e fundit të drogave mjaft të rrezikshme për shëndetin e të rinjve. Në vitin e fundit, agjentët e antidrogës janë hasur disa herë me lloje të ndryshme lëndësh narkotike që shpërndahen për herë të parë në Shqipëri, të cilat nuk diheshin se ekzistonin në tregun e paligjshëm vendas. I tillë ishte rasti i kanabisit xhelatinoz të zbuluar së fundmi në operacionin “Tempulli”, që ka alarmuar policinë të shtojë kontrollet në 12 qarqet e vendit për të zbuluar nëse ka tendencë të shitjes së saj edhe përtej Tiranës.
Por jo vetëm kanabisi xhelatinoz. Prej disa muajsh në Shqipëri qarkullon një tjetër substancë, e cila mund të gjendet fare thjesht edhe në lokale, një lloj droge që merret me tullumbace. Dukjen e ka si një fishek, por pasi hidhet në tullumbace thithet njëlloj si heliumi që ndryshon zërin. Por kjo drogë nuk është si heliumi dhe pa pasoja.
Bëhet fjalë për oksidin e azotit, për të cilin në perëndim është dhënë alarmi për pasojat që sjellë në shëndet dhe disa shtete po mendojnë masa konkrete për ta konsideruar të paligjshme.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 5 herë të tjera oksidi i azotit është sekuestruar edhe në doganë, por sërish pa vlerë, pasi në mungesë të legjislacionit, malli është liruar.
Mund të shkaktojë marramendje, të përziera, dhimbje koke, ndërsa në sasi shumë të larta mund të shkaktojë humbje të vetëdijes, asfiksi, rënie të presionit të gjakut, aritmi dhe vdekje nga arresti kardiak.
Blutë janë në dijeni të rreziqeve që sjellë në organizëm, por për aq kohë sa me ligj mund të tregtohet, e kanë të pamundur për të ndërhyrë. Në këtë pikë del nevoja e ndryshimeve ligjore me synim mbrojtjen e të rinjve nga kjo lloj substance e rrezikshme.