Kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë Kombëtare pati këtë kërkesë ndaj SHISH kur tha se:
“Unë pres që dhe Shërbimi Informativ t’i bashkohet thellësisht kësaj lufte, duke u transformuar me forcën e së drejtës që i jep detyra, të së vërtetës dhe të profesionalizmit që kërkon misioni nga një dispeçeri kombëtare thashethemesh me shkrim ku duhet të lexosh 1000 faqe për të gjetur një fletë me informacion kuptimplotë për keqbërësit brenda zyrave të shtetit apo rreth institucioneve të shtetit”.
Ky deklarim i krye-socialistit Edi Rama mund të ketë ardhur si rrufe në qiell të hapur për Asamblenë Kombëtare Socialiste, por aspak i tillë për njerëzit e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, raporton se në mbledhjen e parë të Vlora Hysenit, me drejtorët e departamenteve në Aparatin Qendror e ata të rretheve, kur mori detyrën e numrit një të inteligjencës shqiptare, kërkoi informacione kualitative e jo thjesht për mbyllur ditën e punës.
Një prej porosive të drejtores Hyseni në mënyrë specifike ishte për drejtorinë e antikorrupsionit në SHISH, për më shumë informacion mbledhje, me fokus zyrtarë të korruptuar në të gjithë nivelet.
Deklarimi Edi Ramës shikohen brenda SHISH si një nevojë e domosdoshme që ky institucion ka për transformim dhe modernizim të gjithanshëm në shërbim jo vetëm të Sigurisë Kombëtare.
Në kushtet e anonimatit një burim i Top Channel në SHISH thotë se një sër ndryshimesh me karakter transformues në këtë institucion kanë nisur pothuaj që në muajin prill të këtij viti, kur kryeministri i besoi postin e rëndësishëm zonjës. Hyseni.
Një prej objektivave parësor dhe sfidë për drejtoreshën Hyseni e të gjithë ata që shërbejnë në SHISH, është shndërrimi në një shërbim inteligjent efektiv dhe të dobishëm në zbatimin e politikave të shtetit.
Në plan të parë të këtij procesi thotë i njëjti burim , paraqitet roli thelbësor që ky institucion duhet të luajë në mbështetje të SPAK dhe organeve të tjera ligj-zbatuese në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe çuarjen e zyrtarëve të korruptuar përpara drejtësisë.
Megjithatë ky rol i pritshëm thekson i njëjti burim, nuk duhet keqkuptuar kurrsesi me principet ndërkombëtare mbi rolin e inteligjencës, që e vlerësojnë të gabuar nocionin se “Inteligjenca”, në vetvete, ka fuqinë për ta fituar një “luftë”, apo vlerësimit se edhe në konfliktet ndërmjet kombeve, përdorimi i inteligjencës është gjithmonë vetëm një nga faktorët që përcaktojnë fitoren ose humbjen.
Përkundrazi, pritshmëritë për organin kryesor të sigurisë në vend, lidhen thelbësisht me qasjen e drejtuar nga inteligjenca për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, krahas aspekteve të tjera që lidhen me sigurinë rajonale e më gjerë, ku SHISH ka qenë dhe vijon të jetë kontribuues.