31 tetori është dita ku festohet festa e Halloween. Dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, maceve të zeza, shtrigave me fshesë, pra të gjithçkaje që mund të konceptohet e frikshme. Në Shqipëri është festuar shumë e sidomos vitet e fundit. Por si është konceptuar Halloween këtë vit?
Ndonëse nuk është një festë që i përket vendit tonë, përsëri dekoret ne rrugët e Tiranës nuk mungojnë. Skelete, kashtë, rrjeta merimange dhe kunguj, janë elementet simbol të kësaj feste.
“Nga viti në vit ka tendenca të ndryshme. Ndryshe nga vitet e tjera, kemi një kapërcim nga e frikshmja tek diçka më delikate, për ta lehtësuar pak,” – tregoi Evis Kazazi, organizuese eventesh.
Nga ana tjetër kjo festë për bizneset është kthyer në një mundësi të artë reklame, për aktivitetin e tyre.
Mendoj që të gjithë bizneset po përpiqen të pozicionojnë veten e tyre, në krah të këtij trendi. Disa ofrojnë mundësinë e uljes, mund të jenë reale ose jo, disa të tjerë janë pjesë e zinxhirit të furnizimit të kësaj veshjeje. Në fund të fundit psikologjia e një biznesi është të fitojë,” – shpjegoi gazetarja Deada Hyka.
Shpenzimet që kryen për ketë festë janë në shuma të konsiderueshme, vetëm për një natë. Shifrat arrijnë në më shumë se 2000 euro.
Minimumi për një dekor për Halloween fillon nga 500 euro, vazhdojnë në shifra që janë diku tek 1500-2000 euro. Ka dhe më shumë në varësi të kërkesave të klientit,” – tregoi Kazazi.
Mbrëmja është ajo që rezervon surprizat e kësaj feste. Të rinjtë zgjedhin të maskohen si personazhe të frikshëm të frymëzuar nga filmat thriller ose kostume të personazheve të show bizz.