Për javën që presim, vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Ditën e hënë pritet një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në shtim pas orëve të pasdites.

Ditën e martë, pritet përkeqësim i kushteve atmosferike. Moti pritet të jetë i vranët e me intervale kthjellimi. Vranësirat do të pasohen nga reshje shiu të vazhdueshme me intensitet të ulët që në orët e para të ditës në pjesën më të madhe të territorit.

Nga orët e mesditës, përgjatë Ultësirës Perëndimore reshjet e shiut pritet të jenë të vazhdueshme me intensitet mesatar në formë shtrëngatash, shoqëruar hera-herës me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër.

Në relievet malore mbi 800-1000 m priten reshje bore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar. Nga orët e pasdites intensiteti i reshjeve bie.

Më pas, në ditët në vijim, moti parashikohet të jetë me alternime vranësirash e kthjellimesh si dhe reshje shiu me intensitet të ulët. Pritet rritje graduale e temperaturave.