Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi duket e stabilizuar, referuar kjo parametrave që tregojnë monitorët pasi avokati vazhdon të jetë i intubuar.
Shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë Prof dr Fatos Olldashi tha se për sa kohë është i intubuar diskutohet ende për jetën. Por nëse vazhdon me këto parametra pra me ulje të edemës që ka në pjesën e përparme të truri , do te tentohet zgjimi i i tij ditën e hënë, pra të nxirret nga intubimi.
Avokati u dhunua mëngjesin e së mërkurës pasi la djalin e tij në kopsht.
Nga 4 autorët e dyshuar të sulmit ku 3 goditën avokatin dhe njëri i transportoi, në pranga ka rënë vetëm një.
Dorian Aliaj u vetëdorëzua mbrëmjen e dy ditëve më parë dhe ka folur para grupit hetimor. Sipas tij, ai dhe Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku nuk e kishin planifikuar sulmin ndaj avokatit.
Dorian Alia u shpreh se takimi pranë kopshtit 31 ishte i rastësishëm. Ai pretendon se vetëm e ka përshëndetur avokatin por kur ky i fundit e ka injoruar e ka qëlluar vetëm një herë me grusht. Kur e ka parë se avokati është rrëzuar është larguar me vrap nga paniku.
Para hetuesve Dorian Aliaj ka treguar dhe për mosmarrëveshjet që miku i tij, Dritan Nano ka pasur me avokatin dhe se nga padia e bërë nga ky i fundit prona ishte bllokuar.
Nga ana tjetër i ndaluari me iniciativë të policisë Dritan Nano, i cili sipas policisë dyshohet si organizator i sulmit ndaj avokatit ka mbajtur qëndrim mohues duke e përjashtuar veten nga kjo ngjarje.
Shkak për konfliktin sipas hetimeve është mosrespektimi i një kontrate lidhur mes avokatit dhe trashëgimtarëve të një prone në zonën e Liqenit artificial.
Pala e përfaqësuar nga avokati fitoi gjyqin në të 2 shkallët e gjyqësorit por një prej 8 trashëgimtarëve, Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës çka solli bllokimin e pjesës takuese të tij.