Jimmy Kimmel u rikthye në “ajër” të ABC të martën në mbrëmje, një javë pasi rrjeti televiziv vendosi ta “ndërpriste” emisionin e tij për shkak të asaj që tha për vrasësin e Charlie Kirk.

Në monologun e tij 17-minutësh me të cilin hapi shfaqjen e tij, Kimmel fillimisht e bëri të qartë, me emocion, se nuk po përpiqej të bënte shaka për vrasjen e aktivistit konservator.

“Nuk kam iluzione se do t’ia ndryshoj mendjen dikujt, por dua të sqaroj diçka, sepse është e rëndësishme për mua si person, dhe kjo është që ju të kuptoni se nuk ka qenë kurrë qëllimi im të nënvlerësoj vrasjen e një të riu. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë qesharake në lidhje me këtë. As nuk ishte qëllimi im të fajësoja ndonjë grup të veçantë për veprimet e një individi që ishte padyshim thellësisht i shqetësuar. Kjo ishte krejt e kundërta e asaj që doja të thoja”, tha Kimmel.

 

Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai kritikoi ABC-në për ndërprerjen e emisionit të tij, duke thënë “kjo nuk është e ligjshme. Nuk është amerikane. Është jo-amerikane”, ndërsa Donald Trump nuk i shpëtoi kritikave të tij.

“Nuk mund ta lejojmë qeverinë tonë të kontrollojë atë që mundemi dhe nuk mundemi të themi në televizion. Duhet ta kundërshtojmë këtë. Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë se dëshiron që unë dhe qindra punëtorë të humbasim vendet e punës. Presidenti ynë po feston humbjen e të ardhurave të amerikanëve sepse ai vetë nuk i duron dot shakatë”, tha Kimmel.

Prezantuesi i famshëm falënderoi njerëzit që e mbështetën, madje edhe ata që nuk e pëlqejnë, por mbrojti të drejtën e tij për t’u shprehur, përfshirë senatorin e Teksasit Ted Cruz: “Duhet guxim për të shprehur kundërshtimin tuaj ndaj administratës aktuale. Ata e bënë këtë dhe meritojnë njohje për këtë.”

Jimmy Kimmel iu referua gjithashtu gruas së Charlie Kirk, Erica, dhe mënyrës se si ajo u soll me vrasësin e burrit të saj në funeralin e të shtunës së kaluar: “Ajo e fali atë. Ky është një shembull që duhet ta ndjekim. Nëse besoni në mësimet e Jezusit, siç besoj unë, kjo ishte e gjitha. Kaq ishte. Një akt vetëmohues hiri. Falje nga një vejushë në zi. Më preku thellë. Nëse ka një gjë që duhet të nxjerrim nga kjo tragjedi për të ecur përpara, shpresoj se është kjo.”

Reagimi i Trumpit

Nga ana e tij, Donald Trump kritikoi ABC-në për rivendosjen e emisionit të Kimmel.

“Nuk mund ta besoj që ABC Fake News ia ktheu punën Jimmy Kimmel”, shkroi ai në Truth Social.

“ABC ka informuar Shtëpinë e Bardhë se shfaqja e tij është anuluar! Diçka ka ndodhur që atëherë e deri tani, sepse audienca e tij ËSHTË ZHDUKUR dhe ‘talenti’ i tij nuk ka ekzistuar kurrë. Pse do të donin të kthehej dikush që po ia del kaq keq, që nuk është qesharak dhe që rrezikon rrjetin duke luajtur rolin e PLEHRAVE Demokratike në 99% pozitivitet”, shtoi presidenti i SHBA-së.

tru456