Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Serbia shpalli ditë zie 27 shtatorin për vrasjen e 3 terroistëve serbë nga policia e Kosovës, pasi vranë efektivin Afrim Bunjaku.

Sipas Ramës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur.

Reagimi i plotë:

Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik!

Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!

Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumenteve në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!

Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!

Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë!

Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!

Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti!

Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian.