Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023

Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.

Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim I.B apo personat e lidhur me të.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B).

Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.

Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.