Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, po mban një konferencë për shtyp pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj tre objekteve kryesore bërthamore në Iran, duke i cilësuar ato si një moment historik në përpjekjet për ndalimin e ambicieve bërthamore të Teheranit.

Në deklaratën e tij, Hegseth theksoi se Presidenti Donald Trump ka qenë i vendosur prej më shumë se një dekade se Irani nuk duhet të zotërojë një armë bërthamore. Ai deklaroi:

“Falë vendimit të mbrëmshëm, ambiciet bërthamore të Iranit janë zhdukur. Kjo ishte goditja përfundimtare kundër programit bërthamor të Teheranit”, tha ai.

Sekretari e përshkroi planin e Presidentit Trump si një strategji të guximshme dhe të shkëlqyer, që sipas tij, vetëm një superfuqi e vërtetë si SHBA-ja mund ta zbatojë me sukses.

“Kur ky president flet, bota duhet ta dëgjojë. Dhe ushtria amerikane, ushtria më e fuqishme që bota ka njohur ndonjëherë – ka kryer një operacion që asnjë vend tjetër në planetin Tokë nuk do të kishte mundur të kryente. Ne nuk kërkojmë konflikt. Por Irani duhet të zgjedhë rrugën e paqes. Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur”, tha ai.

Hegseth, deklaroi se sulmet ajrore të kryera natën e kaluar kishin për synim dobësimin dhe shkatërrimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit.

“Ambiciet bërthamore të Iranit janë neutralizuar plotësisht. Programi i tyre bërthamor është shkatërruar pa shkaktuar humbje në njerëz,” – u shpreh Hegseth.

Sipas tij, objektivi kryesor i sulmeve ishin vetëm objektet bërthamore dhe jo trupat iraniane apo civilët. Goditjet u përqendruan në instalacionet kryesore në Fordo, Natanz dhe Isfahan, ku janë përdorur raketa Tomahawk dhe bomba të specializuara për depërtim në bunkerë të nëndheshëm.

Presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë të shkurtër, e përforcoi këtë mesazh duke theksuar:

“Fordo nuk ekziston më,” – ndërkohë që siguroi se nuk pati humbje jete në anën iraniane.

Në reagim të menjëhershëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar disa të plagosur dhe dëme materiale. Deri më tani, nuk raportohet për përfshirje të drejtpërdrejtë të trupave amerikane apo iraniane në terren.

Ky zhvillim i ri përshkallëzon ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme, me analistët që paralajmërojnë për rrezikun e një konflikti më të gjerë në rajon.