Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk pranon kurrsesi humbjen e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në bashkinë e Kuçovës ku përfaqësoheshin nga kandidati Lefter Maliqi.
Meta ka publikuar një foto nga takimi me kryetaren e PL-së në Kuçovë, Erisilda Hoxhën teksa shkruan se rezultati i zgjedhjeve për bashkinë e Kuçovës do të kontestohet deri në fund, duke shtuar se qytetarët kanë zgjedhur Maliqin si kryebashkiak dhe jo Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste.
“Mirënjohje pakufi për Erisilda Hoxhën, Kryetaren e Partisë së Lirisë në Kuçovë dhe gjithë ekipin e mrekullueshëm mbarëopozitar, që fituan zemrat e shumicës të qytetarëve të Kuçovës, të cilët zgjodhën Lefter Maliqin Kryebashkiak.
As dhuna policore, as krimet zgjedhore gjatë fushatës dhe ditën e votimeve nuk i zmbrapsën në betejën për Ndryshim. Masakrën elektorale në Kuçovë do ta kontestojmë deri në fund dhe kurrë nuk do ta pranojmë.
Gjurmët e krimeve zgjedhore janë të mirëdokumentuara dhe nuk do të anashkalohen kurrë!” shkruan Meta.