Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për median italiane Rete 4, ka shpjeguar se marrëveshja e emigrantëve me kryeministren Giorgia Meloni erdhi shumë natyrshëm dhe theksoi se fjalët që janë përhapur se do të vijnë vetëm burra në Shqipëri, nuk është i vërtetë.
Rama e përshkroi akordin si “shumë të kujdesshëm” dhe “me vëmendje ndaj njerëzve, të cilët do të jenë edhe subjekt i këtij operacioni në të ardhmen”.
Sipas Ramës, marrëveshja i përfshin të gjithë, por përjashton nga operimet vetëm gratë shtatzëna dhe fëmijët. Përkundër nga sa thuhej më parë se vetëm burra do të vinin në Shëngjin.
“Edhe në Shqipëri është krijuar ky keqkuptim, që do të ishte dhe i drejtë, nëse do të ishte i vërtetë”, tha Rama.
“Mendoja se debati do të ishte më i qetë në mënyrë të përgjithshme, qoftë në Itali, edhe në Shqipëri. Por ky nuk është akord kapitullimi, apo pushtimi, nuk është një akord që bëhet pa matur kapacitetet dhe mundësitë”.
Për Ramën, është më se normale që të ketë skeptikë, si në gjithçka, pasi në fund ky është thelbi i demokracive në Evropë.
Mbi të gjitha, sipas Ramës, duhet kuptuar edhe se Shqipëria këtë gjë nuk po e bën për asnjë përfitim, aq më pak monetar, ku jo një euro, “por asnjë liretë nuk e ka kërkuar Shqipëria nga Italia”.
Gjithçka, si ka shpjeguar ai, bëhet fjalë vetëm për faktin se Italisë sot i duhej ndihmë dhe se Shqipëria e ka për detyrë të ndihmojë fqinjët, të cilët bënë aq shumë më herët për vendin dhe emigrantët shqiptarë.
Rama komentoi dhe njëherë deklaratat e sivllezërve socialistë italianë që janë pozicionuar kundër kësaj marrëveshje.
E duke e vendosur shenjën e barazimit mes qëndrimit të së majtës italiane me atë të së djathtës shqiptare për këtë çështje, Rama kërkon që në të dy vendet mos përdoren bindjet politike për ta vlerësuar, por të shihet objektivisht si një zgjidhje e drejtë siç ai pretendon se është.