Pas 30 orësh marrje në pyetje për gati katër ditë, prokurorët vendosën se kishin arsye për të akuzuar ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy për përfitim nga manipulimi i dëshmitarëve dhe komplot për të shtrembëruar rrjedhën e drejtësisë, i tha një burim nga gjyqi AFP-së.

Çështja kundër Sarkozy-t, ende një figurë me ndikim në politikën konservatore franceze, lidhet me akuzat se ai mori para nga diktatori i ndjerë libian, Muammar Gaddafi për të financuar një nga fushatat e tij zgjedhore, për të cilën ai do të dalë në gjyq në vitin 2025.

Sipas “France24” një dëshmitar kyç në atë rast, biznesmeni franko-libanez Ziad Takieddine ka pohuar se ai dorëzoi tre valixhe të mbushura me një total prej pesë milionë eurosh në vitet 2006 dhe 2007.

Por në vitin 2020 Takieddine tërhoqi papritur deklaratën e tij inkriminuese, duke ngritur dyshime se Sarkozy mund të ketë bërë presion mbi dëshmitarin për të ndryshuar mendje.

68-vjeçari tashmë është dënuar dy herë për korrupsion dhe tregti me ndikim në çështje të veçanta që përfshijnë përpjekje për të ndikuar një gjyqtar dhe financim fushate.

Sarkozy, i cili drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, ka apeluar kundër të dy vendimeve.

Të premten, avokatët e tij thanë në një deklaratë dërguar AFP-së se klienti i tyre do të “mbronte nderin e tij” edhe në rastin e fundit.