Rusia duhet të ndalë luftën, përndryshe do të duhet të përballet me sanksione edhe më të forta nga ana e Bashkimit Europian. Ky është paralajmërimi që ka bërë Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste për mediat në vend. Macron përmendi shërbimet financiare, naftën dhe gazin si objektiva të mundshëm të sanksioneve.

Synimi ynë është të vendosim sanksione të reja kundër Rusisë në ditët në vijim, nëse Moska refuzon të zbatojë një armëpushim. Ne jemi duke u koordinuar në këtë drejtim”.

Komentet e Macron u bënë jehonë atyre të kancelarit gjerman Friedrich Merz më herët të martën, i cili tha se aleatët evropianë do të zbatojnë “një shtrëngim të konsiderueshëm të sanksioneve” ndaj Rusisë nëse Presidenti Vladimir Putin nuk bie dakord për një armëpushim. Ky premtim dështoi të lëvizë Putinin, i cili në vend të kësaj bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll më 15 maj.

Presidenti i SHBA Donald Trump e mbështeti atë thirrje, duke minuar përpjekjet e liderëve evropianë për të treguar se Trump ishte i vendosur me kërcënimin e tyre.

Diplomatët thonë se pas 16 paketave të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga BE për luftën në Ukrainë, është gjithnjë e më e vështirë të arrihet unanimiteti i nevojshëm midis 27 anëtarëve të bllokut për të miratuar masa të reja të mëdha.

Ndërkohë, nga ana e tij, Kremlini ka kritikuar komentet e presidentit francez Emmanuel Macron se Parisi do të favorizonte vendosjen e avionëve luftarakë të armatosur me armë bërthamore në vendet e tjera evropiane.

Sipas Moskës, rritja e arsenalit të armëve bërthamore nuk do të përmirësonte sigurinë e kontinentit. “Amerikanët kanë bomba në aeroplanë në Belgjikë, Gjermani, Itali dhe Turqi”, tha Macron, jemi gati ta hapim këtë diskutim.

“Do ta përcaktoj kornizën shumë konkretisht në javët dhe muajt në vijim”, tha shefi i Elysse.