Sipas hetimit, Sali Berisha ka përfituar avantazhe të drejtpërdrejta, jo vetëm përmes familjes Malltezi, por edhe nga financime të shoqërisë Homeplan sh.p.k., në kuadrin e fushatës zgjedhore të vitit 2013.
Ndër pagesat e përmendura është edhe ajo për akomodimin dhe udhëtimin e një këngëtari të ftuar prej tij.
SPAK vijon se, ndër vite, familja Berisha ka përfituar nga të ardhurat e Jamarbër dhe Argita Malltezi.
Në vitin 2014, Berisha akuzohet se ka përfituar 24 mijë euro, prej të cilave 6 mijë euro janë përdorur për shpenzime shëndetësore të Liri Berishës, dhe janë deklaruar në ILDKPI si të dhëna nga dhëndri, Jamarbër Malltezi.
Pjesa tjetër prej 18 mijë eurosh është deklaruar nga Shkëlzen Berisha si hua pa interes nga Jamarbër Malltezi, shumë që nuk është dokumentuar të jetë shlyer më vonë.
Në vitin 2017, Berisha akuzohet për përfitimin e 27,439.98 USD dhe 7,403.75 euro.
Shuma e parë përfaqëson shpenzime mjekësore për ish-kryeministrin, të paguara nga Argita Malltezi dhe të deklaruara në ILDKPI, ndërsa shuma e dytë është paguar nga avokati i Shkëlzen Berishës në SHBA, si një hua pa interes.
Gjithashtu, Jamarbër Malltezi ka paguar 3 mijë euro për pushimet e Liri dhe Sali Berishës.
Në vitin 2021, 19,933 euro janë paguar për shpenzime konsulence avokatie për zyrën ligjore në Francë në çështjen e Antony Blinken, që përfshinte Sali dhe Liri Berishën.
Nga kjo shumë, 13,288 euro janë pasqyruar si detyrim ndaj Jamarbër Malltezit, ndërsa pjesa tjetër si detyrim nga Shkëlzen Berisha.
Në vitin 2022, Argita Malltezi ka shlyer faturat e studios ligjore në Mbretërinë e Bashkuar për babain e saj, Sali Berishën, me një shumë prej 213,590 euro.
SPAK thekson se këto pagesa, si dhe të tjera, janë bërë gjatë kohës kur ish-kryeministri Berisha ka hapur procese gjyqësore në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar kundër sanksioneve të vendosura nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar që e shpallën atë persona non grata.
Sali Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, vepër e kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin. Sipas SPAK, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, dhe në këmbim ka përfituar favore.
Dosja Berisha pritet të shqyrtohet nga një gjyqtar paraprak, i cili do të vendosë nëse hetimet janë të plota dhe më pas çështja do të kalojë në gjykim. (VNA.al)