Sali Berisha deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat se akuzat që janë ngritur për të dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin sa i takon çështjes së ish-kompleksit Partizani, janë të pabaza.

Berisha:

Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike! Ai, i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, afera e sterilizatorëve, afera e Portit të Durrësit, afera e Butrintit. Edi Rama, pasi ka humbur mandatin e deputetit, siç thotë Kushtetuta, me tenderat që ka fituar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, thjeshtra e tij me emrin Xhillari në kompaninë I Riu, me tenderat që ka fituar Fangu apo burri i motrës së Linda Ramës, me implikimet e kësaj të fundit në bordet e bankave, de facto në përputhje me Kushtetutën, ai nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Edi Rama, pasi ka grabitur në mënyrë suksesive votën e shqiptarëve dhe eliminoi pluralizmin politik në parlament, pasi u damkos nga qytetarët e Kosovës si vëllau i Vuçiçit, nga opozita si argat i Beogradit, nga bota si Pashiqi shqiptar, dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim dje në parlamentin e Shqipërisë, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë, të denoncuar publikisht në këtë sallë, për fshehje dokumentesh, për manipulim dosjesh, për bashkëpunim me krimin dhe bandat, për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë, lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit.

Por, duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën. Pra, as kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësit, të cilët sot ndjehen më Sali berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur në Europë, nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve parlamentare. Por në vendin ku prokuroria është thjesht një seksion i PS, mund të merret çdo vendim.

Asnjë manipulim, asnjë veprim i paligjshëm dhe asnjë drejtësi e instrumentalizuar nuk mund të ndalojë qëndresën pa kthim të opozitës: Siç informohem ndaj meje është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe larje parash, kurse dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen, që kthehej nga jashtë.

Ndalohet pa u marrë kurrë në jetën e tij në pyetje për asnjë problem nga asnjë prokuror, asnjë gjykatës i vendit. Lidhur me këto akuza, deklaroj që në krye: se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Rramës dhe jo vetëm atij. Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje, dhe ndaluar familjarët e tij si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë, betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit politik, rikthimin e votës së lirë dhe shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, do mund të frenojë dhe godasë aksionin opozitar. Me këtë rast deklaroj se asnjë manipulim, asnjë veprim i paligjshëm dhe asnjë drejtësi e instrumentalizuar nuk mund të ndalojë qëndresën pa kthim të opozitës deri në fitoren e plotë të saj.

Këto masa dhe ccdo masë tjetër, e karakterit strikt politik, vetëm sa shumëfishojnë motivimin e Sali Berishës, bashkëpunëtorëve të tij dhe qindra e mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve në betejën e tyre pa kthim që nisën dy ditë më parë në parlamentin shqiptar. Në betejën kundër regjimit të Edi Ramës, ndjehem jo më pak i motivuar se 32 vite më parë, në kohën e betejës kundër etërve të tij mizore.

Dhe së shpejti, Sali Berisha, opozita shqiptare, mbështetësit e saj, do i rezervojnë Edi Ramës, fatin e etërve të tij xhelatë.

Lidhur me arrestimin e Jamarbër Malltezit, deklaroj sa vijon: Nuk është thirrur kurrë në jetën e tij për asnjë çështje. Prej 3 vitesh, me padi të rreme të ngritur nga Balla, pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori, por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur, gjoja për abuzime. Klubi Partizani, nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes së FA me propozim e Sali Berishës, as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë të Topit.

Destinacioni i klubit, në truall për ndërtime është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Berishës. Privatizimi i objekteve të klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nano. Prokurorja e çështjes ka mashtruar gjykatës se kthimi i pronave të kompleksit Partizani ka nisur në 2006. Ky proces ka nisur që në 1994.