Nga Alba Malltezi

Pas fytyrave të ngrira nga botoks, ku buzëqëshja ka kohë që nuk lind dot, thirrjet janë nga më të ndryshmet për solidaritet: dikush të fton të ngjitesh në majë, dikush tjetër të bësh 40 km maratonë, një tjetër akoma, të mbushësh qese plastike me ushqime të skaduara apo aty afër skadimit për gratë në nevojë dhe e gjitha për të bërë bilancin se sa “klikime mora nga fotot që bëra në instagram”.

Po afron 8 Marsi dhe diçka duhet të bëjmë dhe përherë e më shumë bëjnë ato që kanë harruar prej dhjetëra vitesh të thonë njëherë më fal, të lutem, të falenderoj, të dua shumë, mirëdita, natën e mirë. Ndoshta se për çështje kaq të ndjeshme, ndjeshmërinë duhet ta kesh humbur me kohë.

Sa shumë dukje dhe sa pak punë e fakte ka në këto gjëra. E kuptuam kur nisëm sensibilizimin për një tjetër kauzë të drejtë dhe të mirë, pa asnjë interes, pa asnjë përfitim. Askush nuk ishte gati të harxhonte qoftë edhe një fjalë, lëre pastaj një kontribut. Për vite e vite ishim vetëm, fillikat, siç janë vetëm gratë dhe vajzat sa herë kanë nevojë për një mbështetje, për një fjalë, për një ndihmë, për drejtësi.

Po vjen 8 Marsi dhe do të shohim spektaklet e organizuara bukur dhe mirë, e sidomos vipa-at tanë të një kategorie të veçantë. Ata, që kur i njeh nga afër janë më të frikshëm nga sa keni prrë në ëndrrat tuaja më të sikletshme, por që janë përherë të gatshëm të vihen para objektivave të kauzave për një klik. Pastaj një drekë e mirë, ca çanta të sponsorizuara, bluza dhe kapele e kështu e zgjidhëm edhe këtë hall.

E dimë mirë se sa vetëm lihen gratë e dhunura 3 ditë pas ngjarjes së bujshme që i përfshin në një dhunë, në një masakrim. Gra, nëna, motra që nuk kanë një derë ku të trokasin dhe të bërtasin sepse nuk ua hap një shoqatë, një institucion, një kishë a një xhami. Gra të lënë në dhunën e pësuar, pa ndihmë e pa drejtësi. Gazetarët mbledhin historitë e tyre rrënqethëse, të frikshme e të rënda përtej edhe imagjinatës më të shfrenuar hollivudiane, por për të gjitha këto nëna, motra dhe gra, çudia dhe bashkë me të edhe vëmendja, nuk zgjat më shumë se tri ditë. Në Shqipëri.