Është debatuar shpesh ku u fsheh Fatos Nano pas sulmeve të 14 shtatorit të vitit 1998? Historiani Fred Abrahams, në librin e tij për Shqipërinë shkruan edhe për këtë çështje.

Pjesët e librit janë zbardhur nga gazeta DITA.

“Një turmë përkrahësish të PD-së marshoi te Ministria e Brendshme, ku njerëz shtinë me armë në ajër, gjuajtën me gurë dhe i vunë zjarrin një makine. Një demonstrues u vra dhe katër policë u plagosën.

Protestuesit vazhduan gjatë bulevardit, drejt zyrës së Nanos. Qeveria po bënte një mbledhje urgjente në kat të dytë, kur mbërriti turma e hazdisur. Ministri i Brendshëm, Perikli Teta, po paraqiste një raport, kur gurët thyen xhamin e dritares pas tij, duke ia çuar në kurriz ciflat e xhamit. “Po e ndërpresim mbledhjen për t’u marrë me situatën”, kujton Teta, fjalët e Fatos Nanos.

Rojet qëlluan në ajër, teksa Nanoja dhe ministrat e tij dolën me shpejtësi. Disa shkuan në Hotel Rogner aty pranë dhe të tjerët në zyrat e tyre nëpër mibistri. Teta u kthye në Ministrinë e Brendshme, ku do të kalonte natën për dy javët e ardhshme.

Se çfarë bëri Fatos Nano pas atij momenti mbeti çështje debati. Sipas disa anëtarëve të qeverisë, ai u arratis në Maqedoni, por duket se ai shkoi me makinë deri afër kufirit. Sipas shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi, Nano kërkoi ndihmë nga një mik nga Durrësi dhe ai e strehoi në një fshat në kufi me Maqedoninë.

Vetë Nano e preku këtë çështje pas 12 vitesh në një intervistë televizive, duke thënë se e kishte kaluar natën në një rezidencë qeveritare pranë kufirit me Maqedoninë.

“Vendimi i marrë nga grupi im i shoqërimit dhe është i justifikueshëm në kushte emergjence të mosfunksionimit të shumë strukturave mbështetëse”, – tha ai.